Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk është interesuar të bisedojë me deputetët e partisë së tij lidhur me ndonjë presion të mundshëm nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Abdixhiku konfirmoi se disa deputetë të LDK-së janë kontaktuar nga Vetëvendosje, por theksoi se secili deputet është i lirë të vendosë për rrugëtimin e tij politik.
“Me asnjë deputet nuk kam folur nëse ka presion apo jo, dhe nuk kam për qëllim t’i bind. Kushdo që mendon se duhet të kalojë në shumicë, e ka rrugën e hapur. Por askush nuk ka shfaqur një synim të tillë. Këto janë më shumë diskutime që lindin nga studio televizive sesa realitet politik,” tha Abdixhiku në një intervistë për T7.
“Edhe po të shkoj me gaz lotsjellës, Kushtetuta nuk ndryshon”
Kreu i LDK-së komentoi edhe rreth mundësisë për të formuar institucione të reja, duke u shprehur se partia e tij do të vepronte ndryshe nëse do të kishte një shumicë të qartë.
“Sikur LDK-ja t’i kishte 48 deputetë, shumë lehtë do t’i formonte institucionet. Por edhe nëse reagoj me gaz lotsjellës në Kuvend, nuk ndryshon asgjë – Kushtetuta i jep përparësi partisë së parë për të formuar shumicën,” theksoi ai.
Abdixhiku përfundoi duke thënë se LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj rendit kushtetues, dhe se nuk do të ndjekë rrugë të jashtëligjshme për të arritur pushtetin.
