Sot, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke dorëzuar një kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së një vendimi të Kuvendit të Kosovës.
Sipas njoftimit për media, AAK do të kërkojë që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë vendimin e Kuvendit për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të gjitha vendimeve të tjera të ngjashme të marra në seanca të ndryshme të muajit prill dhe maj 2025.
“Nesër, më 12 maj 2025, deputetët e AAK-së do të dorëzojnë kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të të gjitha vendimeve të tjera me natyrë të njëjtë, të marra në seancat paraprake dhe të mëvonshme për të njëjtën çështje, i përmbajtur në dokumentin e titulluar: ‘Transkript i Mbledhjes Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, si dhe më 1, 3 dhe 5 maj 2025’,” thuhet në njoftimin e AAK-së.
Dorëzimi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pritet të bëhet në orën 11:00.
