Prishtinë, 20 maj 2025 –
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur që nga sot të ndalojë përkohësisht importin e mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve që vijnë nga Brazili, pas konfirmimit të një shpërthimi të gripit të shpendëve (H5N1) në një fermë në shtetin brazilian të Rio Grande.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe, sipas AUV-së, ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe sigurinë ushqimore të qytetarëve.
“Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit. Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore,” thuhet në njoftimin e Agjencisë.
AUV thekson se ndalimi është në përputhje me praktikat ndërkombëtare, përfshirë veprimet e ngjashme të ndërmarra nga Bashkimi Evropian, Kina dhe disa vende të tjera që tashmë kanë pezulluar importet e mishit të pulës nga Brazili.
Autoritetet kosovare do të vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të marrin masa shtesë në përputhje me zhvillimet ndërkombëtare dhe rekomandimet e organizatave përkatëse të shëndetit dhe sigurisë ushqimore.
