Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se do ta mbështesë Fatmir Limajn për postin e kryeparlamentarit, nëse ky i fundit do të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje. Deklarata e tij vjen pak para nisjes së seancës së 23-të për përpjekjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Rashiq tha se, deri tani, nuk ka informacion nëse do të mbajë sërish postin e ministrit, por theksoi se ekziston gatishmëri nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që ai të jetë pjesë e qeverisë së re.
“Hera e parë që po e dëgjoj një gjë të tillë… Nuk kemi pasur bisedime direkte me Kurtin për këtë çështje, por ekziston një gatishmëri nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe vetë kryeministrit që unë të jem pjesë e ekzekutivit. Kjo që po e përmendni është e re për mua, por në politikë është normale të ketë ndryshime në plane, opsione apo emra ministrash,” tha Rashiq për media para seancës.
Sa i përket kandidaturës për kryetar të Kuvendit, Rashiq u shpreh i qartë: do ta votojë Fatmir Limajn nëse ai do të jetë kandidati zyrtar.
“Deri në këtë moment nuk jam njoftuar për ndonjë propozim të ri për kryeparlamentar. Por, po, do ta votoj Fatmir Limajn nëse ai propozohet. Përgjegjësia është koncept kyç në këtë proces, dhe duhet respektuar vullneti i shumicës. E njoh Limajn që nga viti 2007 kur ishim për herë të parë bashkë në qeveri. Nuk kam asgjë kundër tij,” përfundoi Rashiq.
