Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar, pasi edhe pas tentimeve të shumta, nuk është arritur një marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Në seancën e së dielës, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk mori votat e nevojshme, duke e thelluar bllokimin politik që ka pllakosur vendin për gati tre muaj.
Analisti Burim Ramadani ka sugjeruar se mund të arrihet një zgjidhje e ndërmjetme në javën e ardhshme, duke shpresuar se do të zhbllokohet procesi i konstituimit të Kuvendit. Sipas tij, pas përfundimit të këtij procesi, sfida tjetër do të jetë formimi i Qeverisë së re, por ai ka theksuar se nuk ka mundësi për një Qeveri “Kurti 3”.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka njoftuar se seanca e radhës do të mbahet të martën, megjithatë përfaqësuesit e partive parlamentare kanë paralajmëruar se qëndrimet e tyre mbeten të pandryshuara, duke lënë hapur mundësinë e një tjetër dështimi.
Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit me 42% të votave, ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, por për të formuar qeverinë e re, kërkohen të paktën 61 vota. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë marrë më së shumti ulëse pas LVV-së.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të formohen sa më shpejt, për të siguruar stabilitet dhe përparim të vendit.
