88 vite jetë, 5 vite mall: Nëna Hyrë pret me zemër urimin e Hashim Thaqit nga burgu i Hagës

Para 8 muaj

Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka ndarë sot një moment prekës me publikun: nënës së ish-presidentit të Kosovës, Hyrë Thaçit, i janë uruar 88 vite jetë, mes pritjes emocionale për një telefonatë nga djali i saj, i cili tash pesë vite ndodhet në paraburgim në Hagë.

Në postimin e fondacionit, theksohet se nëna Hyrë e ka pritur me mall urimin e Hashimit, i cili tash e disa vite e përshëndet vetëm përmes telefonatave apo videolidhjeve.

“Ajo nuk është vetëm nëna e një burguari, por nënë e një lideri që ka bërë histori,” thuhet në deklaratë, duke theksuar krenarinë dhe forcën e saj përballë vuajtjes së mungesës.

Postimi mbyllet me një mesazh të qartë:

“Ajo pret që së shpejti të kthehet në shtëpi e të festojnë së bashku! Liri për çlirimtarët!”

Fotografia e publikuar shoqërohet me emocion të thellë dhe mbështetje të vazhdueshme për ish-presidentin, i cili po përballet me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.