Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të marrin nga 750 euro bruto për muajin prill, edhe pse legjislatura e re ende nuk është konstituar dhe puna e tyre ka qenë minimale. Këtë e ka bërë të ditur Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një postimi në Facebook.
Sipas tij, që nga betimi i deputetëve më 19 prill, janë mbajtur gjithsej gjashtë seanca të Kuvendit, të cilat kanë zgjatur vetëm 39 minuta e 18 sekonda në total – apo 2,358 sekonda.
“Për këtë ‘angazhim’, secili deputet do të marrë rreth 750€ pagë bruto. Kjo do të thotë se secila minutë efektive e deputetit do t’i kushtojë taksapaguesve 18.93€, ndërsa çdo sekondë – 0.32€”, shkroi Cakolli.
Ai shtoi se, për krahasim, “me 2 sekonda punë, një deputet fiton aq sa një qytetar paguan për një bukë; me 6 sekonda, aq sa kushton një makiato në Prishtinë; dhe me 18 minuta punë, sa paga minimale mujore në Kosovë”.
Ky zbulim ka ngritur shqetësime të reja për mënyrën si po funksionon Kuvendi dhe barrën financiare që u bie qytetarëve në raport me efektivitetin e përfaqësuesve të tyre.
