Gaza, 28 qershor 2025 – Të paktën 66 fëmijë kanë humbur jetën në Rripin e Gazës si pasojë e urisë dhe kequshqyerjes, raportoi sot Al Jazeera, duke cituar Zyrën e Medias së Qeverisë në Gaza.
Sipas autoriteteve lokale, kjo situatë është shkaktuar nga mbyllja e vazhdueshme e kalimeve kufitare nga forcat izraelite dhe bllokimi i hyrjes së produkteve esenciale, përfshirë qumështin për foshnjat dhe shtesat ushqimore për grupet më të ndjeshme, siç janë të sëmurët dhe fëmijët.
“Ky veprim përbën një krim lufte dhe krim kundër njerëzimit. Izraeli po përdor urinë si armë për të shfarosur civilët, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe Konventave të Gjenevës,” deklaroi Zyra e Medias së Qeverisë së Gazës.
Raportimet vijnë në një kohë kur situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet për shkak të luftës së zgjatur, kufizimeve të rënda në qarkullimin e ndihmës dhe mungesës së qasjes për organizatat ndërkombëtare humanitare.
