Asgjë e re, asgjë ndryshe. Edhe pas 50 tentimeve për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, vendi mbetet në ngërç total institucional, ndërsa qytetarët shikojnë një skenë politike që i ngjan më shumë një shfaqjeje të dështuar sesa një procesi demokratik.
Deputetët, të njëjtët që u votuan për të përfaqësuar vullnetin e popullit, nuk po arrijnë të merren vesh as për gjërat më themelore, si zgjedhja e kryetarit të Kuvendit apo hapat e parë për formimin e qeverisë. Ndërkohë, pas çdo seance të mbyllur me fjalë boshe, vendi zhytet edhe më thellë në kaos politik dhe institucional.
Spektakël i turpshëm politik
50 seanca pa asnjë rezultat nuk janë më “pjesë e procesit demokratik”, por pasqyrë e një paaftësie të thellë politike dhe mungesë të plotë përgjegjësie. Pavarësisht krizës, asnjë lider nuk jep dorëheqje, asnjë parti nuk merr përgjegjësi – përkundrazi, lufta për pushtet dhe pozita vazhdon, ndërsa vendi ngelet peng i egove politike.
Kostoja e kësaj krize?
- Vendimet e mëdha shtetërore janë bllokuar.
- Dialogu me Serbinë është në terr informativ.
- Ekonomia po vuan mungesën e stabilitetit.
- Administrata është e paralizuar.
- Besimi qytetar është në pikën më të ulët.
Të gjitha këto, ndërsa deputetët paguajnë rregullisht pagat dhe mëditjet, pa asnjë rezultat konkret.
Pa zgjidhje në horizont
Klasa politike vazhdon të sillet sikur ka kohë pa fund, ndërkohë që qytetarët jetojnë me pasojat e drejtpërdrejta të një Kuvendi të bllokuar. E vetmja zgjidhje që duket në horizont është shkuarja sërish në zgjedhje – një hap që jo vetëm zgjat krizën, por edhe rrit cinizmin dhe zhgënjimin ndaj sistemit politik.
Redaksionale: Mjaft më me justifikime
50 herë dështim nuk është rastësi është kulturë politike që e trajton shtetin si pronë personale. Dhe nëse askush nuk mban përgjegjësi për këtë krizë, atëherë përgjegjës janë të gjithë./Gazeta Reale
