359 mijë qytetarë kanë braktisur Kosovën – Tregu i punës përballet me mungesë alarmante të fuqisë punëtore

Para 0 vit

Instituti GAP ka publikuar një raport shqetësues lidhur me emigrimin dhe tregun e punës në Kosovë, ku zbulohet se deri në vitin 2023, rreth 359 mijë qytetarë kanë lënë vendin – një shifër që përfaqëson 22.6% të popullsisë.

Raporti thekson se mungesa e fuqisë punëtore po përkeqësohet për shkak të emigrimit dhe pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve në tregun e punës. Kosova ka shkallën më të lartë të jo-aktivitetit në Ballkanin Perëndimor, me 57% të popullsisë në moshë pune që nuk janë as të punësuar e as në kërkim pune – pjesa dërrmuese prej tyre janë gra.

Sektorët më të goditur janë ndërtimtaria, gastronomia, tregtia dhe prodhimi, ndërkohë që 78 mijë të rinj nuk janë as në shkollim, as në punë dhe as në trajnim – një nga përqindjet më të larta në Evropë.

Për të përballuar krizën, raporti rekomandon aktivizimin e fuqisë punëtore jo-aktive, përfshirjen më të madhe të grave dhe të rinjve, si dhe investime në trajnime dhe teknologji inovative.

Në diskutimin e organizuar në kuadër të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI), u theksua se balanca negative mes emigrimit dhe imigrimit po krijon boshllëqe të mëdha në tregun e punës, të cilat nuk po mund të mbulohen as me punëtorë të huaj.