Një në tre shqiptarë kanë frikë se nuk do të mund të sigurojnë mjaftueshëm ushqim për veten dhe familjet e tyre. Kjo nxirret nga raporti më i fundit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë”, i hartuar nga pesë agjenci të specializuara të Kombeve të Bashkuara.
Sipas raportit, 33% e qytetarëve në Shqipëri përjetojnë pasiguri ushqimore, një përqindje ndjeshëm më e lartë se në çdo vend tjetër të Ballkanit, ku niveli i pasigurisë varion nga 6.6% deri në 15%.
Shqipëria tejkalon gjithashtu edhe mesataren globale të pasigurisë ushqimore, e cila është 28%.
Ndërkohë që raporti thekson një rënie të lehtë të pasigurisë ushqimore në nivel global, situata në Shqipëri mbetet shqetësuese. Rreth 8.2% e popullsisë botërore, ose rreth 673 milionë njerëz, kanë përjetuar uri në vitin 2024, me një përmirësim të vogël krahasuar me vitin 2023.
Sidoqoftë, ekspertët paralajmërojnë se niveli i pasigurisë ushqimore në botë mbetet ende mbi nivelet para pandemisë, për shkak të inflacionit të lartë të ushqimeve dhe krizave të njëpasnjëshme ekonomike, të cilat kanë ngadalësuar rimëkëmbjen globale.
Situata në Shqipëri ngre alarmin për nevojën e ndërhyrjes së politikave të qëndrueshme sociale dhe ekonomike për të garantuar ushqim të mjaftueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët.
