Rreth 300 deri në 500 motoristë pritet të nisin më 15 tetor një rrugëtim katërditor nga Prishtina drejt Hagës, si shenjë mbështetjeje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Organizuar nga iniciativa “Liria ka Emër”, karvani i motoristëve do të kalojë përmes disa shteteve evropiane për të përfunduar më 19 tetor në Hagë, ku do të mbahet një tubim simbolik për të kërkuar drejtësi dhe transparencë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, organizatori Ismail Tasholli sqaroi se ideja është që përmes këtij rrugëtimi me motorë të përcillet një mesazh i qartë qytetar dhe paqësor për drejtësi.
“Qëllimi është i njëjtë si në organizimet tjera – të shprehim pakënaqësinë me proceset gjyqësore dhe të kërkojmë drejtësi. Do të nisim nga Prishtina më 15 tetor dhe do të kalojmë përmes Malit të Zi, Shqipërisë, Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë, Gjermanisë, Belgjikës dhe më pas në Holandë, ku do të përfundojmë në Hagë më 19 tetor,” tha Tasholli.
Mbështetje nga motoristë shqiptarë dhe evropianë
Sipas Tashollit, përveç pjesëmarrësve nga Kosova, karvanit do t’i bashkohen edhe klube motoristësh nga Evropa, përfshirë shqiptarë që jetojnë në diasporë.
“Kemi kontaktuar me të gjitha klubet – qoftë evropiane apo shqiptare që jetojnë jashtë vendit – dhe shumë prej tyre kanë shprehur gatishmëri të na bashkohen gjatë rrugës,” shtoi ai.
Rrugëtimi do të zgjasë katër ditë, ndërsa pjesëmarrësit pritet të qëndrojnë një ditë në Hagë. Detajet për kthimin ende nuk janë përcaktuar.
“Nga 15 deri më 19 tetor i kemi planifikuar katër ditë rrugëtim, me ndalesa të planifikuara për pushim. Në Hagë do të qëndrojmë vetëm një ditë, dhe kthimi do të organizohet më pas, në varësi të zhvillimeve,” sqaroi Tasholli.
Ai shtoi se numri përfundimtar i pjesëmarrësve mund të ndryshojë për shkak të detajeve logjistike dhe koordinimit me klubet e motoristëve.
Ky karvan është një nga aktivitetet më të mëdha simbolike të ndërmarra nga qytetarë kosovarë në mbështetje të të akuzuarve në Hagë dhe pritet të tërheqë vëmendjen e mediave evropiane.
