27 vjet nga rënia heroike e pesë dëshmorëve në Apterushë – kujtohen Toni, Mici dhe bashkëluftëtarët e lirisë

Para 5 muaj

Sot shënohen 27 vjet nga rënia heroike e pesë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri, të cilët më 6 nëntor 1998 ranë në betejë kundër forcave serbo-jugosllave në fshatin Apterushë të Rahovecit.

Në atë ditë të ftohtë nëntori, gjatë një pritë të organizuar nga policia serbe, këta pesë trima u përballën me armikun në një luftë të pabarabartë, duke dhënë jetën për lirinë e Kosovës. Ata po shoqëronin një grup ushtarësh të rinj të ardhur nga Shqipëria drejt Drenicës, kur ranë heroikisht në fushëbetejë.

Përveç Tonit e Micit, që ishin ndër figurat më të njohura të UÇK-së në zonën e Rahovecit, atë ditë ranë edhe bashkëluftëtarët Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri, ndërsa u plagosën Lulzim Ymeri dhe Kujtim Saraçi.

Betejat e Tonit e Micit në Kijevë, Bratotin e Rahovec ishin frymëzim për shumë njësite të UÇK-së në Dukagjin, Pashtrik e Drenicë, duke u kthyer në shembull të sakrificës për liri.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit, veprës dhe sakrificës së tyre që i dhanë kuptim lirisë së Kosovës!