Sot shënohen 27 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci, dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci — dy prej figurave më emblematike të luftës për liri në Kosovë.
Më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të ashpër dhe të pabarabartë kundër forcave serbe në Çiçavicë, ata dhanë jetën pas një qëndrese të jashtëzakonshme. Krahas tyre, ra edhe studentja Fatime Hetemi dhe shumë luftëtarë të tjerë të UÇK-së.
Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, e cila më pas mori emrin e tij si nderim për kontributin dhe flijimin e tij të pashoq për lirinë e Kosovës. Ndërsa Xhevë Krasniqi-Lladrovci ishte ndër gratë e para që iu bashkua radhëve të UÇK-së, duke dhënë një shembull të rrallë guximi dhe përkushtimi.
Në nderim të veprës së tyre, sot më 22 shtator 2025, në Kompleksin Memorial në Gllanasellë, janë mbajtur homazhe, ku qytetarë, familjarë, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues institucionalë janë përkulur me respekt përpara varreve të tyre.
Trashëgimia e Fehmiut dhe Xhevës mbetet frymëzim i përhershëm për gjeneratat që vijnë.
