Në ditën e parë të Provimit të Maturës Shtetërore, rreth 18,800 maturantë në gjithë Kosovën iu nënshtruan testit, por në Gjilan ka pasur ankesë nga 21 nxënës të Shkollës së Muzikës dhe Arteve. Ata pretendojnë se janë larguar padrejtësisht nga provimi pa iu dhënë mundësia të plotësojnë testin.
Sipas nxënësve, shkak për largimin e tyre ishte përdorimi i telefonave, të cilët i kishin lënë në tavolinën përpara, ku ishin ulur profesorët. Njëra nga maturantet tha për Klankosova.tv se gjatë shpërndarjes së testeve, një zyrtar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka hyrë në klasë dhe i ka larguar të gjithë nxënësit.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Shpend Nuhiu, tha se nxënësit janë informuar për rregullat nëpërmjet sistemit E-Kosova dhe me pamflete, ku bëhet e ditur se përdorimi i pajisjeve elektronike gjatë testimit është i ndaluar. Ai shtoi se nxënësit që mendojnë se janë trajtuar padrejtësisht kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë zyrtare në MAShTI.
Nxënësit e prekur planifikojnë të dorëzojnë ankesat e tyre ditën e hënë.
