Zbulohet baza e dronëve në operacionin kundër spiunazhit, 18 të arrestuar në Iran

Para 10 muaj

Autoritetet iraniane njoftuan arrestimin e 18 personave të dyshuar për lidhje me shërbimet e inteligjencës izraelite, të cilët po prodhonin dhe vendosnin dronë sulmues dhe spiunazhi në qytetin verilindor të Mashhadit, raporton Agjencia e Lajmeve Fars.

Policia iraniane bëri me dije se arrestimet u kryen në një punishtte të fshehtë për ndërtimin e dronëve, të cilët dyshohet se do të përdoreshin nga Mossadi për sulme të ndryshme.

Së fundmi, autoritetet në provincën Isfahan arrestuan katër persona të tjerë të lidhur me një strukturë prodhimi dronësh, ku u sekuestruan pajisje dhe pjesë këmbimi në sasi të mëdha.

Sipas mediave izraelite dhe raporteve të inteligjencës, Mossadi kishte ngritur një bazë të fshehtë dronësh pranë Teheranit, ku operacioni përfshinte kontrabandimin e dronëve shpërthyes dhe raketave antitank të përdorura për sulme kundër sistemit iranian të mbrojtjes ajrore dhe qendrave të komandës.

Po ashtu, pesë persona në Qazvin u ndaluan për nxitje trazirash dhe mbështetje të agresionit izraelit.

Në provincën Lorestan në perëndim të Iranit, policia ka arrestuar gjithashtu agjentë të dyshuar që lehtësonin aktivitetet izraelite.

Këto veprime vijnë ndërsa Teherani po intensifikon luftën kundër rrjeteve të spiunazhit izraelit në territorin e saj.

Kjo valë arrestimesh ndodh në kuadër të një rritjeje të përpjekjeve të forcave të sigurisë iraniane për të çaktivizuar qelizat e spiunazhit të lidhura me Mossadin, veçanërisht ato që lidhen me sabotimet përmes dronëve.