Më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) organizoi një protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kërkuar paga më dinjitoze dhe kushte më të mira pune për punëtorët.
Pavarësisht thirrjes së sindikatës dhe pakënaqësive të vazhdueshme me kushtet e punës në sektorin publik dhe privat, pjesëmarrja në protestë ishte simbolike. Një numër i vogël i punëtorëve iu përgjigjën thirrjes, ndërsa shumica duket se zgjodhën të pushojnë dhe festojnë këtë ditë.
Organizatorët thanë se mungesa e pjesëmarrjes nuk i zbeh kërkesat legjitime të punëtorëve, por reflekton një realitet ku frika, apatia apo mungesa e besimit në ndryshim i largon punëtorët nga protestat. Ata shprehën zhgënjim për indiferencën ndaj kësaj dite simbolike dhe theksuan nevojën për mobilizim më të madh në të ardhmen.
Dita e Punëtorëve, që në botë shënohet me marshime e protesta të mëdha, në Kosovë vazhdon të jetë më shumë ditë pushimi sesa një moment për reflektim dhe veprim sindikal.
