Një tjetër zjarr ka shpërthyer në deponinë e mbeturinave në fshatin Lutogllavë të Pejës, herët në orët e mëngjesit të së mërkurës. Sipas Kryeshefit Ekzekutiv të KRM “Ambienti”, Diedon Berisha, ky është rasti i katërt brenda vetëm dy javësh, që kjo deponi përfshihet nga flakët.
“Zjarri ka rënë rreth orës 04:00 të mëngjesit. Deri tani, nuk është identifikuar askush si përgjegjës për këto zjarre, por është shqetësuese që po ndodhin kaq shpesh”, tha Berisha për emisionin “Ora Shtatë”, duke shtuar se vendi është nën mbikëqyrje nga roje sigurie.
Përkundër pranisë së rojeve, autoritetet ende nuk kanë arritur të zbulojnë se kush qëndron pas ndezjes së zjarreve, që po shkaktojnë shqetësim të madh tek banorët lokalë dhe rrezikojnë mjedisin përreth.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë e zjarrfikësve, të cilët kanë arritur të lokalizojnë flakët, por rreziku për përhapje të mëtejme të zjarreve mbetet prezent.
