Analisti politik Ylli Hoxha ka komentuar zhvillimet rreth zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar kandidaturën e Dimal Bashës si një lëvizje taktike të kryeministrit Albin Kurti.
Në emisionin “Debat Plus”, Hoxha tha se Kurti, si “ekspert i lojës”, ia ka lëshuar një “jadec” opozitës, veçanërisht PDK-së, për ta futur në kurth dhe për të krijuar përshtypjen e mungesës së vullnetit për bashkëpunim.
“Z. Kurti ua lëshoi në dorë jadecin dhe këta ia mundësuan pak a shumë atë që ai synonte: të akuzojë opozitën për mungesë bashkëpunimi, për shkak të shumësisë së kandidaturave,” deklaroi Hoxha.
Ai kritikoi PDK-në që kishte paralajmëruar se do ta votonte kandidaturën e Bashës, por në momentin vendimtar, sipas tij, dëshmoi mungesë të theksuar lidershipi dhe instinkti politik.
“Askush nuk i detyroi ta thonë se kanë 35 vota për Bashën. E thanë vetë. Ditën kur u bë propozimi, manifestuan mungesë lidershipi,” theksoi ai.
Hoxha shtoi se drejtuesit e partive opozitare dhe shefat e grupeve parlamentare nuk treguan autonomi dhe pjekuri politike në menaxhimin e situatës në Kuvend.
