Aktorja e njohur kanadezo-amerikane Catherine O’Hara ka vdekur në moshën 71-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga menaxheri i saj për revistën “Variety”.
O’Hara ka ndërruar jetë të premten në shtëpinë e saj në Los Anxhelos, pas një sëmundjeje të shkurtër.
Karriera e Catherine O’Hara në Hollywood zgjati më shumë se pesë dekada. Ajo e nisi rrugëtimin artistik me serialin kanadez të humorit “Second City Television”, të cilin e krijoi bashkë me Eugene Levy, rol për të cilin fitoi çmimin e saj të parë Emmy dhe katër nominime të tjera.
O’Hara u bë e njohur për publikun e gjerë me rolet në filma si “After Hours”, “Beetlejuice” dhe dy filmat e parë “Home Alone”, ku interpretoi rolin e nënës së Kevinit, personazhit të luajtur nga Macaulay Culkin. Ajo ruajti një miqësi të afërt me Culkin dhe e nderoi atë në ceremoninë e yllit në Walk of Fame në vitin 2023.
Aktorja ishte bashkëpunëtore e shpeshtë e regjisorit Christopher Guest, duke u shfaqur në filmat “Best in Show”, “For Your Consideration”, “Waiting for Guffman” dhe “A Mighty Wind”. Po ashtu, ajo dha zërin në filma të animuar të njohur si “The Nightmare Before Christmas” dhe “Chicken Little”.
Në vitet e fundit, O’Hara u rikthye fuqishëm në skenë me serialin “Schitt’s Creek”, ku interpretoi rolin e Moira Rose, rol që i solli çmimin e dytë Emmy dhe një sukses të madh ndërkombëtar. Pas këtij suksesi, ajo u angazhua edhe në seriale si “The Last of Us” dhe “The Studio”, si dhe në filma si “Beetlejuice Beetlejuice” dhe “Argylle”.
E lindur në Toronto, Catherine O’Hara u bë një figurë shumë e dashur në Los Anxhelos, ku në vitin 2021 u shpall kryetare nderi e zonës Brentwood.
