Në një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese, Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë mirëpriti promovimin e librit të ilustruar për fëmijë “Flakëroshi”, tregim i autorit të ndjerë Ymer Elshani – një prej zërave më të spikatur të letërsisë shqipe për fëmijë.
“Tregimi ‘Flakëroshi’, një ndër veprat e tij të botuara së fundmi nga “Armagedoni”, u promovua në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Në këtë ngjarje morën pjesë dashamirës të letërsisë, krijues, familjarë dhe miq të Ymer Elshanit.
Ymer Elshani, i cili bashkë me familjen e tij u vra nga forcat serbe 26 vjet më parë, ka lënë pas një trashëgimi të çmuar në letërsinë për fëmijë. Tregimi “Flakëroshi”, i botuar për herë të parë si libër i ilustruar, u prit me interes të madh, veçanërisht nga fëmijët e “Klubit të Leximit”, që sollën përshtypje të sinqerta mbi librin, duke marrë rolin e kritikëve letrarë të vegjël.
Studiuesi i letërsisë për fëmijë, Xhevat Syla, theksoi rëndësinë e veprës së Elshanit dhe rolin e tij si një prej shkrimtarëve më të mirë për moshat e reja. Në panel morën pjesë edhe studiueset e reja Blinera Hajdari dhe Blerta Salihu, të cilat vlerësuan stilin e veçantë, gjuhën poetike dhe mesazhet edukative që mbart “Flakëroshi”.
Ngjarjen e bëri edhe më të veçantë prania e vajzës së autorit, Teuta Elshani, e cila mbështeti botimin dhe dhuroi libra për bibliotekën. Ajo shprehu mirënjohje për përkushtimin e stafit të bibliotekës në ruajtjen e trashëgimisë letrare dhe promovimin e leximit tek brezat e rinj.
Teuta , shprehu mirënjohjen për organizatorët dhe vlerësoi përkushtimin për të mbajtur gjallë kujtimin dhe veprën e të atit: “Për mua, ky është misioni i jetës.”
Promovimi u moderua nga Lorenta Ibraj, ndërsa ngjarja u shënua edhe me dhurimin e librave për bibliotekën dhe të pranishmit. Një ditë përplot letërsi, kujtime dhe dashuri për fjalën e shkruar, që nderoi një autor të pazëvendësueshëm në letrat shqipe për fëmijë.
