Pse Trump i nënshtrohet Erdoganit?

Para 7 muaj

Nga vizita e fundit e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Shtëpinë e Bardhë, bie në sy një qasje e veçantë e presidentit amerikan Donald Trump ndaj homologut të tij. Takimi, i cili zgjati mbi dy orë, u karakterizua nga një diskurs jashtëzakonisht pozitiv dhe një sjellje protokollare e pazakontë nga ana e Trump, i cili njihet për tonin shpesh përçmues ndaj shumë liderëve ndërkombëtarë. Trump i ofron Erdoğanit një trajtim më të afërt, më të barabartë dhe më serioz në krahasim me mënyrën si i trajton liderët e tjerë.

Në konferencën për shtyp dhe në pamjet nga Zyra Ovale, vërehet një detaj i rëndësishëm protokollar: Trump dhe Erdoğan janë ulur përballë njëri-tjetrit në karrige të njëjta, në një nivel të barabartë. Kjo është në kontrast të dukshëm me mënyrën si Trump ka pritur më parë liderë të tjerë, ku shpesh ai qëndron në një karrige më të madhe dhe më të ngritur, ndërsa të ftuarit ulen më larg dhe në pozita inferiore.

Ndryshe nga Erdoğan, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë takimit me Trump u ul në një karrige të thjeshtë druri, përballë një tavoline modeste  një skenë që ngjante me një nxënës të viteve ’80 në një klasë të varfër, që shikonte përmes dritares mbretin. Simbolikë e pastër e një marrëdhënieje të pabarabartë.

Ky lloj vendosjeje ka një domethënie të thellë në komunikimin diplomatik. Ajo transmeton barazi, afërsi dhe respekt të ndërsjellë. Sjellja e Trump në këtë rast është përjashtim i qartë nga sjelljet e tij më të zakonshme, ku ai zakonisht dominon vizualisht dhe simbolikisht hapësirën në raport me liderët e tjerë.

Diskursi i Trump për Erdoğanin ishte i mbushur me superlativa dhe shprehje të admirimit. Ai e quajti presidentin turk “një njeri shumë të respektuar” dhe lavdëroi ndërtimin e një “ushtrie të fuqishme” nga Turqia. Për më tepër, Trump tha se Erdoğan është i respektuar nga liderë si Putin dhe Zelenskyy, duke e përshkruar atë si një figurë neutrale dhe të balancuar në konfliktet rajonale.

Një gjuhë e tillë është tejet e rrallë në fjalorin diplomatik të Trump, i cili është i njohur për deklaratat e papërmbajtura dhe kritikat e ashpra ndaj aleatëve e kundërshtarëve njësoj. Në rastin e Erdoğanit, fjalët e Trump kalojnë nga diplomacia konvencionale në një nivel personal të afirmimit dhe aleancës.

Një përjashtim në sjelljen e Trump ndaj liderëve botërorë

Kur krahasohet me trajtimin që Trump u ka bërë liderëve si Angela Merkel, Justin Trudeau apo Emmanuel Macron, qasja ndaj Erdoğanit dallohet qartazi. Merkel është pritur me ftohtësi, madje duke refuzuar edhe një shtrëngim duarsh. Trudeau është ironizuar dhe nënvlerësuar publikisht, ndërsa Macron është përballur me gjeste fizike dominimi. Në këtë kontekst, marrëdhënia e Trump me Erdoğanin del si një përjashtim i theksuar.

Arsyet e mundshme: Strategji, simpati apo interes i ndërsjellë?

Ekzistojnë disa interpretime për këtë sjellje të veçantë:

Së pari, mund të jetë një strategji e ftohtë gjeopolitike për të mbajtur Turqinë si aleate të qëndrueshme në NATO dhe për të balancuar ndikimin rus në rajon. Duke ofruar mundësinë për shitjen e avionëve F-16 dhe F-35 dhe duke lënë të hapur heqjen e sanksioneve të CAATSA-s, Trump sinjalizon se është i gatshëm të rinegociojë raportet në favor të interesave të ndërsjella.

Së dyti, mund të jetë një simpati personale ndërmjet dy liderëve që ndajnë ngjashmëri në stilin e qeverisjes: autoritarizëm, nacionalizëm, kontroll të mediave dhe retorikë populiste. Të dy kanë prirje për të shmangur protokollet tradicionale dhe për të ndërtuar marrëdhënie mbi bazën e përfitimeve të drejtpërdrejta dhe perceptimit të forcës personale.

Manipulimi i opinionit mysliman dhe arab??

Duke ruajtur marrëdhënie të mira me një lider të rëndësishëm mysliman si Erdoğan, Trump ndoshta kërkonte të zbusë imazhin e tij ndërkombëtar si “anti-islamik”, veçanërisht pas ndalimeve të udhëtimeve për shtete myslimane dhe retorikës së fortë ndaj migrantëve.

Turqia është një vend mysliman, por me imazh laik dhe me ndikim në botën arabe dhe myslimane. Lidhja me Erdoganin mund të ketë qenë pjesë e një strategjie të butë për të balancuar kritikat ndërkombëtare ndaj politikave të brendshme të Trump.

 

Trump dhe Erdoğan ndajnë disa tipare të ngjashme në mënyrën se si e konceptojnë dhe ushtrojnë pushtetin:

  • Të dy janë liderë autoritarë në stil, që nuk ngurrojnë të sfidojnë institucionet tradicionale të vendit të tyre, përfshirë gjyqësorin, mediat dhe opozitën.
  • Kanë një qasje populiste dhe nacionaliste në politikë, duke e paraqitur veten si përfaqësues direkt të “popullit të vërtetë” kundër elitave.
  • Kanë ndërtuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me bazën e tyre elektorale përmes komunikimit të thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe shpesh emocional.

Këto ngjashmëri krijojnë një ndjesi afërsie personale – një lloj respekti mes liderëve që “e kuptojnë njëri-tjetrin” pa pasur nevojë për ndihmën e protokolleve apo ndërmjetësve institucionalë.

2. Interesat strategjike të SHBA-së në raport me Turqinë

Turqia është një nga anëtarët më të rëndësishëm (dhe më të vështirë) të NATO-s. Për SHBA-në, ajo ka një rëndësi të veçantë në aspektet:

  • Gjeostrategjike: Ndodhet midis Evropës, Lindjes së Mesme dhe Kaukazit – rajone me rëndësi të madhe për SHBA-në.
  • Ushtarake: Në territorin turk ndodhen baza ushtarake amerikane kyçe, si ajo e Incirlikut, që përdoret për operacione në Lindjen e Mesme.
  • Rajonale: Turqia ka ndikim të drejtpërdrejtë në Siri, në marrëdhëniet me Iranin, Izraelin, Rusinë dhe së fundmi, edhe me Ukrainën.

Trump e kuptonte që një marrëdhënie e tensionuar me Turqinë do të dobësonte pozicionin amerikan në rajon. Prandaj, ai preferonte të mbante raporte personale të ngushta me Erdoganin për të balancuar divergjencat politike dhe ushtarake.

3. Pragmizmi ekonomik dhe potenciali i marrëveshjeve tregtare

Turqia ka treguar interes për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane, si F-16 dhe më herët F-35. Për një president si Trump, që e sheh politikën e jashtme si një seri marrëveshjesh biznesi, kjo është një mundësi për përfitime ekonomike për industrinë amerikane të mbrojtjes.

Kjo e bën Erdoganin një partner të dobishëm, dhe Trump rrallë i shfaq publikisht partnerët e dobishëm si kundërshtarë – përkundrazi, ai i afron, i lavdëron dhe i përdor si shembuj të “marrëveshjeve të suksesshme”.

4. Nevoja për aleatë jo-tradicionalë në një botë të polarizuar

Trump kishte një marrëdhënie të tensionuar me shumë liderë tradicionalë të Perëndimit, si Merkel, Macron apo Trudeau. Në këtë kontekst, ai dukej se kërkonte të krijonte një bosht të ri personal marrëdhëniesh me liderë të fortë si Erdoğan si dy figura autoritare, që ai i respektonte për “kontrollin” dhe “efikasitetin” që shfaqnin në udhëheqje.

Për Trumpin, Erdoğan nuk është një sfidues, por një model alternativ udhëheqjeje që ai e vlerëson më shumë sesa “burokratët e Brukselit” apo elitën globale.

Artë Ramiqi