Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka anuluar udhëtimin e planifikuar të delegacionit të ShBA-s në Islamabad të Pakistanit, vetëm një ditë pasi e kishte njoftuar, duke treguar qartë se kriteret amerikane për një raund të ri bisedimesh ende nuk janë përmbushur.
Sipas CNN, zyrtarët amerikanë kishin kërkuar dy gjëra nga Irani gjatë 14 ditëve pas negociatave të mëparshme të gjata që përfunduan pa marrëveshje, një propozim negociues që të trajtonte vijat e kuqe të Trumpit për programin bërthamor iranian, dhe një qartësi më të madhe se kush po e drejton realisht vendimmarrjen në Teheran, transmeton Klankosova.tv.
Trump vendosi ta anulojë udhëtimin rreth një orë pasi ministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u largua nga Islamabadi, ku po informonte zyrtarët pakistanezë për propozimin më të fundit të Teheranit.
Trump gjithashtu e arsyetoi vendimin, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e fluturimit (të paktën 17 orë) dhe shanset e ulëta për një përparim real.
Zyrtarët amerikanë, transmeton Klankosova.tv shprehen se vazhdojnë të shqetësohen nga ndarjet mes moderatëve dhe linjës së ashpër brenda regjimit iranian, gjë që po e vështirëson arritjen e një pozicioni të unifikuar negociues në Teheran.
Megjithatë, pavarësisht qëndrimit të Trumpit, mbetet e paqartë se si mund të përfundojë konflikti dhe si mund të rihapet Ngushtica e Hormuzit pa një zgjidhje diplomatike.
