Për paqen mes popullit palestinez dhe izraelit.” Në foltoren e Kombeve të Bashkuara, këtë të hënë më 22 shtator, Emmanuel Macron e njohu shtetin e Palestinës. Pas Britanisë së Madhe dhe Kanadasë, që e bënë këtë një ditë më parë, Franca bëhet vendi i tretë i G7 që bën një deklaratë të tillë.
Macron e njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë të hënë më 22 shtator. Presidenti francez e shfrytëzoi rastin e pranisë së tij në foltore për të bërë këtë deklaratë solemne.
“Koha ka ardhur që lufta të ndalet, koha e paqes ka ardhur,” – nisi presidenti francez, përpara se të bëjë thirrje për lirimin e 48 pengjeve që mbahen nga Hamasi dhe për ndaljen e “masakrave në Gaza”.
“Koha ka ardhur, sepse urgjenca është kudo,” – theksoi ai.
Macron pranoi se ka zëra që i kundërvihen kësaj njohjeje.
“Disa do të thonë se është shumë vonë, të tjerë do të thonë se është shumë herët. Një gjë është e sigurt: nuk mund të presim më.”
Ai gjithashtu i bëri thirrje Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që të çojë deri në fund procesin e nisur në vitin 1947 me vendimin për ndarjen e Palestinës së atëhershme nën mandat në dy shtete, me të drejtë vetëvendosjeje.
“Komuniteti ndërkombëtar njohu atëherë shtetin e Izraelit, duke përmbushur fatin e atij populli pas mijëvjeçarësh endjesh dhe persekutimesh, që më në fund mundi të themelojë një demokraci të bukur. Premtimi për një shtet arab, ndërkaq, mbetet deri sot i papërmbushur. Që atëherë, është një rrugë e gjatë shprese dhe dëshpërimi që izraelitët dhe palestinezët e kanë përshkuar secili në mënyrën e vet.”
Java të tëra pritjeje
Emmanuel Macron e kishte paralajmëruar prej javësh se do ta ndërmerrte këtë njohje për shkak të “urgjencës ekstreme të situatës në Gaza dhe në territoret e tjera palestineze”.
I pyetur nga shumë qytetarë francezë që nuk e kuptonin këtë vendim, presidenti kishte publikuar një video në platformën X këtë të dielë për të sqaruar pozicionin e tij.
“Jam ndier i lënduar, i prekur dhe kam ndarë dhimbjen e të gjitha familjeve të viktimave dhe pengjeve të 7 tetorit, nuk harroj asnjërën. Vetëm pak ditë më parë, në këtë zyrë, prita disa prej atyre familjeve. Nuk e harroj dhimbjen, vuajtjen dhe dëshpërimin e të gjitha familjeve të viktimave në Gaza dhe të atyre që jetojnë sot nën bombardime, pa qasje në ndihmën humanitare,” – kishte deklaruar ai.
“Ajo që kërkon Franca, është paqja”
“Në fund të fundit, të gjitha jetët vlejnë njësoj (…) ajo që kërkon Franca, është paqja. Një armëpushim i menjëhershëm, lirimi i 48 pengjeve pa vonesë. Ajo që kërkon Franca, është rikthimi i ndihmës humanitare në Gaza, një ditë e nesërme e mundur për Gazën, me një Hamas të çarmatosur dhe të përjashtuar nga pushteti (…) Ajo që kërkon Franca, janë dy shtete që jetojnë në paqe.”
original post:
