Nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në në Prishtinë

Para pak minutash

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shuar aludimet se ekziston një marrëveshje mes saj dhe Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë për bashkëqeverisje.

Në komunikatën për media po ashtu theksohet se nuk ekziston asnjë marrëveshje me asnjë parti politike, transmeton Klankosova.tv.

“LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani. LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse”, thuhet në njoftim.

Tutje, në reagim theksohet se çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”.

“Për çështjet tjera lokale, LDK do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale. Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim”, thuhet në njoftim.