Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar grupin punues për krijimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili tha se grupi do të analizojë dhe propozojë modalitetet e funksionimit të këtij institucioni si agjenci në kuadër të MPB-së. Sipas tij, Xhandarmëria do të ketë rol në ruajtjen e kufijve, mbrojtjen e sovranitetit territorial, luftimin e terrorizmit, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Sveçla theksoi se kjo forcë do të rrisë kapacitetin shtetëror për parandalimin dhe neutralizimin e kërcënimeve ndaj sigurisë së vendit.
