Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka dorëzuar një notë verbale Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, pas disa incidenteve me të shtëna armësh në afërsi të qendrës së skijimit Hajlla-Shtedim, pranë kufirit mes dy shteteve. Dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga territori i Kosovës.
Në reagimin zyrtar thuhet se është kërkuar nga autoritetet kosovare të identifikojnë dhe procedojnë autorët, si dhe të informojnë Malin e Zi për masat e ndërmarra.
Sipas Ministrisë malazeze, bëhet fjalë për incidente të izoluara, por që kanë rezultuar me dëmtime në infrastrukturën e qendrës së skijimit, në dy raste të ndara – në korrik 2024 dhe më 24 gusht 2025. Prokuroria e Rozhajës ka hapur hetime për rastin e parë, ndërsa për të dytin, hetimet janë në proces.
Policia e Kosovës, përmes zyrtarit Fadil Gashi, ka deklaruar se nuk ka informacion për incidente të tilla në kufi, ndërsa përgjigje zyrtare nga Policia Qendrore dhe Qeveria e Kosovës ende pritet.
Në notën verbale, Mali i Zi rikujton rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, përfshirë atë për kufirin shtetëror dhe hapjen e pikës kufitare Kotlovi–Kuqishtë. Të dyja palët shprehin përkushtim për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit rajonal.
