Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-udhëzimin Administrativ për Linjën Telefonike Emergjente për Viktimat e Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Baza Gjinore.
Në prezantimin e këtij projekt-udhëzimi, kryeministri Albin Kurti tha se linja telefonike emergjente ofron “ndihmë të menjëhershme në situata emergjente dhe referim të shpejtë të shërbimet përkatësem, duke siguruar që viktimat të kenë qasje në shërbimet e nevojshme për mbrojtjen dhe fuqizimin e tyre”.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë tha se me këtë projekt-udhëzim synojnë që të krijojnë një “linjë emergjente, të specializuar që ofron mbështetje të menjëhershme, të qasshme, të sigurt, konfidenciale për viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore”.
Po ashtu, mundëson kontaktin direkt të viktimës me shërbimet e tjera përkatëse, ofron mbështetjen dhe këshillon viktimën për reagim në situatë krize, përfshirë edhe udhëzimet lidhur me sigurinë personale për tejkalim të krizës, ofron informacione të nevojshme dhe numra të kontaktit për shërbimet mbështetëse”.
