Lamtumirë Behar Topilla – zërit që rrëfeu tmerrin e masakrës së Çikatovës së Vjetër

Para 6 muaj

Në Topillët e Gllanasellës u mbajt sot ceremonia mortore për Behar Topillën, dëshmitarin që kishte rrëfyer për 40 trupat e masakruar nga forcat serbe në Shavarinat e Çikatovës së Vjetër.

Familjarë, miq dhe banorë të zonës u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit të mbijetuarit të njërës prej ngjarjeve më të tmerrshme të luftës në Kosovë.

Behar Topilla, i cili ndërroi jetë të martën, u kthye në vendlindjen e tij për të prehur përgjithmonë. Në ceremoninë e varrimit u rikujtua drama që ai kishte përjetuar në moshën 18-vjeçare dhe rrëfimi i tij që mbetet dëshmi e gjallë e krimeve të luftës.