Rrëfimi i parë vjen nga një nënë që flet për përjetimet emocionale të djalit të saj 11 vjeçar:
“Sa herë i them diçka që nuk i pëlqen, skuqet, ulet kokën dhe përpiqet të mos qajë. Më thotë: ‘Kur më bërtet, më bllokohet koka, nuk di çfarë të bëj’. Ndihet shumë keq edhe për gabimet më të vogla.”
Një situatë e ngjashme përjeton edhe një tjetër nënë, me vajzën e saj 13vjeçare:
“E kam vënë re që e bija nuk duron dot as një kritikë të thjeshtë. I ndryshon menjëherë fytyra, më shmanget, mbyllet në dhomë. Pastaj më shkruan mesazh: ‘Nuk më do më’. Nuk është thjesht ndjeshmëri, është dhimbje.”
Këto dy raste tregojnë të njëjtën gjendje psikologjike: fëmijë që përjetojnë kritikat si refuzim, jo si udhëzim. Në vend që të mësojnë nga një gabim, ata e interpretojnë situatën si “Nuk vlej”, “Po zhgënjej mamin/babin”, apo më keq – “Nuk jam i/e dashur”.
Sipas psikologëve, kjo ndodh kur fëmijët kanë vetëvlerësim të brishtë ose kur komunikimi në familje është më shumë kritikues sesa mbështetës. Prindërit shpesh pa qëllim dëmtojnë emocionalisht, duke menduar se janë duke edukuar, ndërsa fëmijët ndihen të turpëruar, të pasigurt dhe të pavlerësuar.
Kur fëmija thotë “më bllokohet koka” apo mbyllet në vetvete, nuk është sjellje manipuluese – është shenjë mbingarkese emocionale. Truri i tyre është ende duke mësuar si të përpunojë kritikat, ndjenjat, dhe presionin.
Çfarë ndihmon në këto raste?
- Kritikoni sjelljen, jo personalitetin: “Ke harruar ta pastrosh tavolinën”, jo “Je dembel”.
- Jepni hapësirë pas një gabimi: “E kuptoj që je mërzitur. Hajde ta rregullojmë bashkë.”
- Sigurojini fëmijës që nuk e lidhni dashurinë me sjelljen. “Të dua shumë edhe kur gabon.”
Ndërtimi i vetëbesimit te fëmijët nuk ndodh me fjalë të mëdha një herë në vit, por me mënyrën si u flasim në momentet kur ndihen të pasigurt.
