Kolonel Fuad Ramiqi: Sulmi izraelit ndaj Iranit ishte i paralajmëruar..

Para 1 vit

Fuad Ramiqi, ish-ushtarak dhe njohës i çështjeve të sigurisë, ka komentuar sulmin që Izraeli nisi në orët e para të së premtes ndaj Iranit, duke e cilësuar atë si një veprim të paralajmëruar dhe të planifikuar prej vitesh.

Në një intervistë për Edicionin Special në Klan Kosova, Ramiqi tha se përgatitjet për një operacion të tillë kanë filluar që nga mandati i parë i ish-presidentit amerikan Donald Trump, me qëllim parandalimin e Iranit në krijimin e një arsenali bërthamor.

Ramiqi shpjegon se përgatitjet për këtë sulm kanë filluar që nga mandati i parë i presidentit amerikan Donald Trump, me qëllim parandalimin e Iranit për të siguruar një arsenal bërthamor, i cili do të përbënte rrezik për sigurinë rajonale dhe veçanërisht për Izraelin.

Sipas tij, gjatë mandatit të parë të Trumpit u miratua një plan që përfshinte edhe zhvendosjen e popullit palestinez nga Gaza dhe nisjen e bisedimeve me Iranin për të neutralizuar kërcënimin bërthamor.

Në mandatin e dytë të Trumpit, thekson Ramiqi, ngjarjet nuk kanë qenë rastësi, por pjesë e një plani të qartë për neutralizimin e Iranit si faktor destabilizues në Lindjen e Afërt dhe Mesme.

Ai thekson se momenti për sulmin izraelit ishte i përshtatshëm për shkak të situatës ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të përfshirjes së Rusisë në konfliktin në Ukrainë, gjë që e ka dobësuar aftësinë e saj për të mbështetur Iranin në këtë konflikt.

Nga kjo perspektivë, sulmi izraelit shihet si një përpjekje strategjike për të parandaluar rritjen e influencës dhe fuqisë ushtarake të Iranit në një rajon të ndjeshëm.