Federata e Gjimnastikës organizoi garën e Ligës C në kuadër të Ministrisë së Sportit, ku morën pjesë një numër i madh garuesish. Pavarësisht disa sfidave në organizim, si ngjeshja e orarit dhe fluksi i pjesëmarrësve, fëmijët nga të gjitha grupet treguan paraqitje mbresëlënëse.
Në mesin e tyre shkëlqeu edhe Klubi i Gjimnastikës Kulina, i cili në garat e mbajtura sot në Prishtinë e përmbylli ditën me shumë sukses. Nën udhëheqjen e profesorit të gjimnastikës Shqiprim Imeri dhe trajnerëve të përkushtuar, fëmijët e klubit po dëshmojnë vazhdimisht talent dhe disiplinë në çdo garë.
Një moment i veçantë ishte paraqitja e vogëlushes Sihana Ramiqi, e cila mahniti të pranishmit me elegancën dhe sigurinë e saj në skenë.
Nga klubi falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për energjinë dhe përkushtimin, duke theksuar se puna me të rinjtë vazhdon çdo fundjavë. Çdo të shtunë dhe të diel organizohen ushtrime për më të vegjlit, me synimin për të zhvilluar talentet e reja dhe për t’i afruar fëmijët me sportin.
