Kim Kardashian drejt profesionit të avokates: përfundon stazhin ligjor dhe kualifikohet për provimin e jurisprudencës në Kaliforni

Para 1 vit

Kim Kardashian ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt ëndrrës së saj për t’u bërë avokate. Sipas mediave ndërkombëtare, ylli i njohur i televizionit dhe biznesmenia ka përfunduar zyrtarisht stazhin ligjor në shtetin e Kalifornisë dhe tashmë është e kualifikuar për të dhënë provimin e jurisprudencës.

Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesi i saj të mërkurën, ndërsa vetë Kardashian ndau me ndjekësit një moment të veçantë nga ceremonia private që u mbajt në hotelin luksoz Beverly Hills. Ajo u shfaq e buzëqeshur, e veshur me një kapelë diplomimi, duke shënuar kështu një tjetër arritje në rrugëtimin e saj drejt profesionit të juristes.

Kardashian ka ndjekur një program alternativ për t’u bërë avokate, i cili i lejon kandidatët të studiojnë në zyrat e avokatëve të licencuar në vend të ndjekjes së një fakulteti tradicional juridik. Ajo ka deklaruar shpesh se është e motivuar nga dëshira për të ndihmuar në reformimin e sistemit të drejtësisë penale në SHBA.

Nëse kalon provimin e jurisprudencës, Kim Kardashian do të bëhet zyrtarisht avokate – një arritje që do të përforcojë më tej imazhin e saj si aktiviste dhe përkrahëse e të drejtave të njeriut.