KFOR-i kërkon frymë të re në dialogun Kosovë–Serbi, në takim me ambasadorin italian

Para 10 muaj

Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Enrico Barduani, është takuar sot me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, në selinë e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë.

Takimi është konfirmuar nga vetë KFOR-i përmes një postimi në Facebook, ku thuhet se dy zyrtarët diskutuan mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe përpjekjet e vazhdueshme për të mbështetur dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.“Ata diskutuan mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, si dhe përpjekjet e KFOR-it për të mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, për të cilin Komandanti i KFOR-it kërkoi që të vazhdojë me një frymë të re dhe të vendosur”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit, gjenerali Barduani shprehu gjithashtu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të Italisë në kuadër të KFOR-it, duke e vlerësuar kontingjentin italian si një simbol të përkushtimit për stabilitetin në Kosovë.  “Që nga viti 1999, kontingjenti italian ka qenë një simbol kyç i angazhimit të Italisë për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar në Kosovë,” theksoi Barduani.

Takimi vjen në një periudhë kur tensionet në veri të Kosovës dhe zhvillimet në rajon mbeten në fokus të aktorëve ndërkombëtarë dhe të përpjekjeve për të ruajtur paqen dhe sigurinë në vend.