Një ngjarje e veçantë familjare pritet të mbahet më 2 gusht, kur 600 pjesëtarë të fisit Sogujeva do të mblidhen për herë të parë në një tubim gjithëpërfshirës që përfshin anëtarë nga Kosova, Shqipëria, Turqia dhe diaspora.
Iniciativa është ndërmarrë nga Hysen Sogujeva, i cili në emisionin “Weekend” në Klan Kosova rrëfeu se frymëzimin e ka marrë nga një rast i ngjashëm i familjes Kelmendi, organizuar para një dekade.
“Inspirimin e kam marrë nga një shok shkolle që kishte mbledhur gjithë familjen Kelmendi. E pata gjithmonë si ide. Më pas, në një të pame, mbetëm vetëm ne Sogujevët e Grabovcit, ndërkohë që Sogujevët janë të shpërndarë në të gjitha trojet e Kosovës dhe më gjerë. Atëherë iu thashë: ‘E kam nijet me nis një iniciativë, a më përkrahni?’ Dhe siç thotë populli, ‘ka dhezë shumë’, me të parën,” tha Hyseni.
Organizimi po merr përmasa të mëdha, ku sipas Adnan Sogujevës, anëtar i këshillit organizativ, pjesëmarrësit po tregojnë entuziazëm të jashtëzakonshëm – përfshirë edhe ata nga mërgata.
“Është pritur aq mirë, aq me entuziazëm, saqë njerëzit nuk kanë pritur me ardh. Çdo javë kemi vizita nga diaspora që duan të japin kontributin e tyre,” tha Adnani.
Tubimi do të shërbejë si një festë e madhe bashkimi dhe identiteti për fisin Sogujeva, duke ruajtur lidhjet familjare përmes brezave dhe hapësirave gjeografike.
