Profesori i sigurisë thotë se reduktimi gradual i pranisë së KFOR-it duhet parë në funksion të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, ndërsa anëtarësimin në NATO e konsideron garancinë kryesore për paqen dhe sigurinë afatgjatë të vendit.
PRISHTINË – Zhvillimet e fundit që lidhen me praninë e KFOR-it në Kosovë dhe vlerësimet e aleatëve për kapacitetet vendore të sigurisë përbëjnë një tregues të rëndësishëm të konsolidimit shtetëror të Kosovës. Kështu vlerësoi profesori Arben Fetoshi nga Instituti Octopus, i cili në emisionin “Horizonti i Mesditës” foli për temën “Nga Hormuzi te Bondsteel: Si po reformohet rendi i sigurisë”.
Duke komentuar diskutimet rreth mundësisë së optimizimit të pranisë së KFOR-it në Kosovë, Fetoshi tha se ky zhvillim nuk duhet interpretuar si dobësim i garancive të sigurisë, por si reflektim i rritjes së kapaciteteve të institucioneve të sigurisë së Kosovës.
“Ky është lajmi më i mirë prej pavarësisë së Kosovës, për shkak se pjesën e dytë të këtij njoftimi nuk e kanë pasur parasysh mediat, e sidomos mediat në Serbi në mënyrë strategjike e kanë eskivuar fjalinë që ndërlidhet me rritjen e kapaciteteve të organizatave të sigurisë në Kosovë”, deklaroi ai.
Sipas Fetoshit, njoftimi duhet të analizohet në kuadër të procesit 10-vjeçar të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, proces që sipas tij ka fituar ritëm më të madh për shkak të zhvillimeve të sigurisë dhe rrethanave të reja gjeopolitike.
“Ne po lëvizim në drejtim të vitit 2028, për shkak që zhvillimet në kuadër të FSK-së kanë pasur dinamikë më të madhe, për shkak të kontekstit të sigurisë dhe gjeopolitikës në rajon. Nëse kemi parasysh marrëdhënien specifike me SHBA-në, në veçanti me FSK-në, ky është lajmi më i mirë prej pavarësisë, për shkak se është mesazhi më i qartë drejtuar Beogradit zyrtar sa i përket konsolidimit shtetëror të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Profesori theksoi se optimizimi i pranisë së KFOR-it do të bazohet në vlerësimet e rrezikut dhe në nivelin e gatishmërisë së kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
“Në thelb do të optimizohet prezenca e KFOR-it në përputhje me vlerësimin për rrezikun. Kjo i bie që prezenca e NATO-s, në përputhje me rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, është mesazh për Serbinë që Kosova po konsolidohet, po aftësohet në kuadër të mbrojtjes dhe prandaj pritet ulja graduale e prezencës së forcave të KFOR-it, por duke mbajtur në mend që aftësia e rikthimit të trupave të mbetet permanente deri te një marrëveshje ose epilogu final, që konsiston në një paqe të qëndrueshme të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.
Duke folur për perspektivën euroatlantike të Kosovës, Fetoshi përmendi edhe propozimet e disa kongresmenëve amerikanë për përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt NATO-s.
“Anëtarësimi në NATO është garanci e paqes dhe sigurisë që vijnë nga lufta hibride kundër Kosovës, nga Republika e Serbisë si shtet përfaqësues i interesave ruse në Ballkan”, deklaroi ai.
Në analizën e tij, Fetoshi u ndal edhe te ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në Ballkan, duke vlerësuar se stabilizimi i situatës në Lindjen e Mesme mund të rikthejë fokusin strategjik të Shteteve të Bashkuara në rajon.
“Të premten pritet marrëveshje mes Iranit dhe SHBA-së që të qetësojë e stabilizojë Lindjen e Mesme, e që pritet vëmendja e SHBA-së të kthehet në Ballkan, përkrah shteteve të BE-së në NATO që e rrisin kontingjentin e forcave të tyre në Kosovë për t’i dhënë mesazh të qartë Serbisë dhe për t’ia pamundësuar ndikimin kundër Kosovës edhe me luftën hibride”, tha ai.
Sipas Fetoshit, besimi në rritje i aleatëve ndaj institucioneve të sigurisë së Kosovës lidhet me avancimin e kapaciteteve operacionale dhe reagimet ndaj sfidave të fundit të sigurisë.
“Vlerësimi i aleatëve ka të bëjë me kapacitetet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, sidomos pas ngjarjes së Banjskës dhe reagimeve të fuqishme të organeve të sigurisë në Kosovë”, përfundoi profesori Arben Fetoshi.
