Deputetja Shqipe Selimi sqaron arsyen e mosvotimit për Donika Gërvallën: Nuk është çështje partie, por deklarimet e mëparshme ndaj bashkëshortit tim

Para 8 muaj

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, ka dhënë një sqarim për mospjesëmarrjen e saj në votimin për Donika Gërvallën si kandidate për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Selimi ka theksuar se vendimi i saj nuk ka motive partiake, por lidhet me deklarime të mëparshme të Gërvallës, në të cilat ajo kishte cilësuar bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin, si “figurë të diskredituar të krimit”.

“Dua të sqaroj se mospjesëmarrja ime në votim nuk ka lidhje me motivacion partiak, por me postime të Donika Gërvallës nga data 7 shkurt dhe 25 mars 2020, që i kam bashkëngjitur në këtë shkrim,” shkroi deputetja.

Selimi shtoi se këtë sqarim e bën për transparencë dhe respekt ndaj opinionit publik, mediave dhe përkrahësve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nga zemra falënderoj kolegët, aktivistët dhe votuesit e LVV-së për mirëkuptimin,” përfundoi ajo.