“Dasma e Lirisë” – Shemsije Lladrofci rrëfen martesën me Ramiz Lladrofcin nën hijen e flamurit dhe armëve më 2 Shtator 1990

Para 7 muaj

Shemsije Lladrofci ka ndarë një rrëfim të veçantë në 35-vjetorin e martesës me Ramiz Lladrofcin, duke kujtuar dasmën e tyre që u mbajt në një kohë sfiduese për popullin shqiptar, por të rrethuar me njerëz të jashtëzakonshëm – burra të lirisë, të gatshëm për t’u flijuar për atdheun.

Fjalët e saj të plota janë:

**“2 Shtator 1990. Në 35 vjetorin e martesës sonë

Dasma jonë u mbajt në rrethana të jashtëzakonshme, por me njerëz të jashtëzakonshëm – burra të lirisë që po mobilizonin popullin për t’u mbrojtur dhe për të bërë histori.

Në mesin e krushqve tanë ishin Fehmu dhe Xheva me shumë shokë të idealit, dhe vetë Adem Jashari me njësitin e parë të UÇK-së. Në një kohë kur flamuri kombëtar ishte i ndaluar dhe policia detyronte krushqit ta përdhosnin me mënyra nga më të ultat, Fehmiu u kishte thënë burrave:

‘Kush është burrë me e mbrojtë flamurin, le të hyjë në kerre. Të tjerët le të na presin këtu, për çdo rast.’

Armët u shpërndanë nëpër kerre.

Gjatë rrugës për në Polluzhë, policia priste në Terstenik, por nuk i ndaloi. Më vonë u kuptua se kishin informacione për lëvizjen. Në Polluzhë, sipas zakonit, u shkrepën armë dhe Fehmiu bisedoi me miqtë për situatën. Babai im i kishte thënë:

‘Dasmën, dhe gjakun të përbashkët i kemi.’

Kur u rreshtuan krushqit në rrugë para flamurit, printe kerri i miqve me burra të armatosur që na përcollën nga Polluzha deri te fabrika e Feronikelit. Pas kerrit të nuses, vinte kerri i Adem Jasharit me shokët e tij.

Kur arritëm në shtëpi, Ademi i kërkoi leje babës Tush:

‘A po na lejon ta shkrepim ndonjë?’

Dhe aty u shtinë armët, me pushkë e me rafale jo për frikë, por për nder.

Që nga ajo ditë, çdo natë, burrat e lagjes bënin roje me radhë.