Cunami po godet Paqësorin pas tërmetit në Kamchatka: Hawaii dhe Japonia në alarm

Para 10 muaj

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë goditi të hënën gadishullin Kamchatka në Lindjen e Largët të Rusisë, duke shkaktuar valë cunami deri në 4 metra dhe paralajmërime të menjëhershme për rrezik në disa pjesë të Paqësorit.

Autoritetet në Hawaii kanë lëshuar urdhër evakuimi për zonat bregdetare, pas sinjalizimeve se valë të fuqishme mund të godasin ishujt. Sirenat emergjente janë aktivizuar për herë të parë në vite, ndërsa banorët janë larguar me vetura drejt zonave më të larta, mes trafikut të rënduar dhe panikut të përhapur në rrjete sociale. Në shumë zona, qytetarët janë parë duke u furnizuar me ushqime dhe ujë.

Sipas Qendrës së Paralajmërimit për Cunami në Paqësor (PTWC), në Hawaii janë regjistruar tashmë valë me lartësi rreth 1.2 metra, por ekziston rreziku për valë më të mëdha. Portet janë mbyllur dhe disa fluturime janë pezulluar në ishuj si Maui dhe Oahu.

Ndërkohë, Japonia ka urdhëruar evakuimin e mbi 900 mijë banorëve përgjatë bregut lindor, nga Hokkaido në veri deri në Wakayama në jug. Valët e para të cunamit kanë prekur tashmë disa zona, megjithëse me intensitet më të ulët se pritej.

Edhe në bregun perëndimor të SHBA-ve – përfshirë Kaliforninë, Oregonin dhe Alaskën – autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për cunami, duke kërkuar që qytetarët të qëndrojnë larg vijës bregdetare.

Zyrtarët amerikanë theksojnë se nuk pritet një ndikim shkatërrues në territorin e SHBA-ve, por theksuan se lëvizjet e detit mbeten të paparashikueshme dhe potencialisht të rrezikshme.

Burimet: The Guardian, Reuters, People.com, Hawaii News Now, PTWC.

Lajmi është përditësuar në kohë reale me informacionet më të fundit nga autoritetet ndërkombëtare.