Ceremonia madhështore e varrimit të Ismail Qemali në Vlorë, 1919

Para pak minutash

Pas vdekjes së Ismail Qemali në fund të janarit 1919 në Peruxhia të Italisë, autoritetet në Vlorë organizuan një ceremoni madhështore lamtumire. Trupi i tij mbërriti në qytetin e lindjes disa ditë më vonë, ndërsa varrimi u zhvillua të mërkurën, më 12 shkurt 1919.

Që në orët e para të mëngjesit, qytetarët u mblodhën në sheshin e portit. Rreth orës 10:00, arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar u vendos mbi një karrocë të tërhequr nga gjashtë kuaj. Dyqanet qëndronin të mbyllura dhe nëpër dyer e mure ishin vendosur njoftime zie me mbishkrimin: “Zi kombëtare për patriotin e madh Ismail Qemal”.

Në një fotografi të realizuar nga Kolë Maca në vitin 1919, pasqyrohet momenti kur paria shqiptare mban fjalime në nder të figurës së tij. Pjesëmarrja ishte e madhe dhe ceremonia u zhvillua me rregull të plotë, pa asnjë incident.

Veçori e kësaj ceremonie ishte mungesa e flamujve të tjerë shqiptarë, përveç atij që mbulonte arkivolin e Ismail Qemali, duke e bërë edhe më simbolike dhe solemne lamtumirën për një nga figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar.

Fotografi Kolë Maca, i lindur në Shkodër në vitin 1882, e nisi karrierën si nxënës i Kol Idromeno, u trajnua më pas në Vjenë dhe hapi studion e tij të parë në Shkodër në vitin 1910. Ai jetoi dhe punoi në Vlorë deri në vitin 1921, përpara se të vendosej në Tiranë, ku vazhdoi veprimtarinë e tij artistike.