Autoritetet turke janë në kërkim të biznesmenit të njohur Halit Yukay, themelues i kompanisë së jahteve luksoze Mazu Yachts, i cili rezulton i zhdukur që prej datës 4 gusht 2025. Ai ishte nisur me jahtin e tij personal “Graywolf” nga porti i Yalovas me destinacion ishullin grek Mykonos, por humbi kontaktet gjatë rrugës.
Pas alarmit të ngritur nga familjarët, autoritetet nisën një operacion të gjerë kërkimi. Më 5 gusht, jahti “Graywolf” u gjet i dëmtuar dhe gjysmë i fundosur pranë gadishullit Kapıdağ, në Detin Marmara, nga një anije tregtare.
Kërkimet vazhdojnë me helikopterë, zhytës dhe njësi të rojës bregdetare, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të 43-vjeçarit Yukay. Prokuroria e Marmaras ka nisur një hetim penal për të zbardhur nëse bëhet fjalë për aksident, defekt teknik apo ndonjë ngjarje tjetër të dyshimtë.
