As në fermë s’i dhez Ganiut – largohet nga spektakli

Para 1 vit

Rrugëtimi i Gani Gërmias në “Ferma VIP 2” mori fund më shpejt sesa ndoshta ai vetë e kishte parashikuar. Gazetari u përball në televotim me Big Bastën, Erandin, Andrean dhe Ylli Dreshajn – dhe këtë herë publiku vendosi që ai të lërë fermën.

I futur në lojë vetëm pak javë më parë, Ganiu nuk arriti të lërë gjurmë të thella në arenën e bujqësisë televizive. Sipas vetë tij, fajtori kryesor për këtë eliminim ishte… cigarja. “M’i ka lidhur këmbë e duar, nuk kam mundur të luaj lirshëm”, u shpreh ai, ndoshta në një prej rrëfimeve më të sinqerta të spektaklit.

“Dua t’iu falënderoj të gjithëve. Ka qenë një nga eksperiencat më të mira. Do të mbetet një nga senet më të mira. Do të më mungojnë shumë fermerët”, tha ndër të tjera Ganiu – mes emocioneve dhe ndoshta edhe një cigareje që i mungonte në atë moment.

Pas Big Brother-it dhe tani edhe “Ferma VIP”, duket se fati i Ganiut në reality show nuk po mbillet as nuk po korr. Por siç thonë të tjerët: Ganiut s’po i ecë kërkund – përveç ndoshta drejt ndonjë formati tjetër.