Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave për një skemë të dyshuar korrupsioni në Qendrën për Patentë Shoferë në Pejë. Të akuzuarit dyshohet se përmes ryshfetit dhe manipulimeve u kanë mundësuar kandidatëve pajisjen e kundërligjshme me patentë-shoferë.
Sipas Prokurorisë, në skemë kanë qenë të përfshirë zyrtarë të qendrës dhe përfaqësues të auto-shkollave, ndërsa ryshfetet dyshohet se varionin nga 300 deri në 1 mijë euro. Aktakuza përfshin veprat penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, manipulim me prova, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe dhënie ryshfeti.
