Edona Vllasaliu Kurteshi ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e babait të saj, Sinan Vllasaliu, është e mirë dhe se ai po rikuperohet pas aksidentit me motor. Për shkak të lëndimeve, që kërkuan edhe ndërhyrje kirurgjike, këngëtari nuk ka mundur të marrë pjesë në dasmën e Dua Lipa, ku ishte i ftuar të performonte. Në një postim në Instagram, Edona falënderoi stafin mjekësor për kujdesin dhe përkushtimin gjatë trajtimit të tij.
“Babi im, i cili me shumë dashuri për muzikën ishte i ftuar të këndonte edhe në dasmën e Dua Lipa, fatkeqësisht nuk mundi të ishte prezent për shkak të këtij aksidenti. Megjithatë, sot mbi të gjitha jemi mirënjohës që ai është në duar të sigurta dhe po rikuperohet. Faleminderit pafund secilit mjek, infermier dhe çdo anëtari të stafit për kujdesin, durimin dhe zemrën që treguat. Mirësia juaj nuk harrohet”, shkroi ajo.
