Zyrtarët lokalë thonë se tabela është larguar për t’u vendosur në një lokacion më të përshtatshëm
Është raportuar se një tabelë me simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, e vendosur në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, është dëmtuar. Megjithatë, këto pretendime janë mohuar nga përfaqësuesit komunalë, të cilët sqarojnë se tabela është larguar për arsye teknike dhe do të vendoset në një vend tjetër.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Visar Syla, i cili theksoi se nuk ka pasur asnjë akt vandalizmi.
“Jo, tabela nuk është dëmtuar. E kemi larguar pasi ai është objekti i MPB-së. Nuk e dimë çka do të vendosin MPB-ja aty, por tabela nuk është dëmtuar, e kemi larguar ne,” tha Syla.
Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani, duke sqaruar se largimi i tabelës është bërë nga vetë komuna dhe nuk ka pasur ndonjë incident të sigurisë lidhur me të.
“Nuk ka pasur asnjë dëmtim. Tabela është larguar nga komuna për arsye organizative,” theksoi Elshani.
Ky sqarim vjen pas disa raportimeve në media dhe rrjete sociale që sugjeronin një akt të mundshëm vandalizmi, të cilin institucionet përkatëse tashmë e kanë mohuar zyrtarisht.
