Rriten çmimet e derivateve në Kosovë, ndikojnë tensionet në Lindjen e Mesme

Para 1 muaj

Çmimet e derivateve në Kosovë kanë shënuar rritje ditëve të fundit, duke reflektuar zhvillimet dhe tensionet në tregjet globale të naftës.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, aktualisht çmimi i dizelit sillet nga 1.40 deri në 1.60 euro për litër, ndërsa benzina nga 1.27 deri në 1.39 euro. Ai bëri të ditur se çmimi i furnizimit me shumicë një ditë më parë ishte rreth 1.53 euro.

Berjani theksoi se tensionet në Lindjen e Mesme dhe situata në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, po ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht edhe në Kosovë. Sipas tij, numri i anijeve që kalojnë në këtë korridor është ulur ndjeshëm për shkak të rrezikut të shtuar.

Nga ana tjetër, institucionet në Kosovë kanë bërë të ditur se po monitorojnë tregun për të parandaluar praktikat e padrejta tregtare dhe për të mbrojtur konsumatorët.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Iranin që të mos ndërhyjë në qarkullimin e naftës në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se çdo veprim i tillë do të përballej me reagim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas këtyre deklaratave, çmimi i naftës në tregjet aziatike ka shënuar rënie me rreth 6.5 për qind, duke zbritur në rreth 88 dollarë për fuçi.