Reagim i ashpër ndaj Prokurorisë: 2,500 euro gjobë për grupin “AlbKings” trondit opinionin

Para 7 muaj

Rreth 60 organizata joqeveritare dhe një numër i madh mediash kanë reaguar pas propozimit të Prokurorisë së Prishtinës për dënimin me gjobë të tre anëtarëve të grupit “AlbKings”, për ngacmimin e gazetares A.A.

Më 18 shtator, Prokuroria ka paraqitur para gjykatës marrëveshjen me të akuzuarit që parashikon që secili prej tyre të dënohet me gjobë prej 2,000 deri 2,500 euro, për shqetësimin e vazhdueshëm të gazetares. Tre të dyshuarit ishin arrestuar nga Policia në operacione speciale.

Në reagimet e tyre, organizatat kërkojnë nga Gjykata e Prishtinës që të hedhë poshtë marrëveshjen dhe të shqiptojë dënim meritor, duke argumentuar se ligji për këtë veprim parashikon me burgim deri në 3 vjet, dhe se dënimet minimale nuk plotësojnë standardet ligjore dhe morale për çështje që prekin fytyrën, nderin dhe sigurinë psikologjike të viktimave.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka reaguar ndaj këtyre reagimeve duke thënë se disa pretendime janë keqinterpretime. Ajo sqaron se rastet ndaj themeluesve dhe administratorëve të grupit kanë përfunduar me gjykim dënues, me burgime efektive. Ndërsa për rastet që kanë zgjuar reagim publik — anëtarët që kishin marrë pjesë në përhapje informacioni dhe kontakte me të dëmtuarën — është arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, dhe dënimi me gjobë është propozuar duke marrë parasysh që disa nga faktorët për këtë rast ligjor janë që të akuzuarit t’i kenë pranuar fajësinë për herë të parë.