Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie nga zyra e ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha, ku në prapavijë shihet Deklarata e Pavarësisë e Kosovës e vendosur në dysheme, pas divanit.
OVL-UÇK e cilësoi fotografinë si “rrëfim politik” dhe akuzoi Bashën për përdhosje të një dokumenti me vlerë shtetërore. Në reagim u përmendën edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, për të cilët u tha se kanë “normalizuar armiqësinë ndaj themeleve të Republikës”.
Veteranët kërkuan nga Prokuroria e Shtetit të nisë hetime për rastin, ndërsa i bënë thirrje Bashës të sqarojë mënyrën e trajtimit të dokumenteve shtetërore.
