Mbrojtësi i viktimave kërkon pranimin e 74 dëshmive me shkrim në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Para 7 muaj

Mbrojtësi i viktimave në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka kërkuar që të pranohen si prova materiale 74 dëshmi shtesë me shkrim. Deri më tani, trupi gjykues nuk ka marrë vendim lidhur me këtë kërkesë.

Sipas zëdhënësit të Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, është aprovuar vetëm kërkesa për 6 dëshmi me shkrim nga ana e mbrojtjes së viktimave.

Në këtë proces, janë dëgjuar gjithsej 127 dëshmitarë në sallën e gjyqit, ndërsa 137 dëshmi me shkrim janë pranuar – shumica nga Prokuroria, vetëm 6 prej mbrojtjes së viktimave.

Ndërkohë, më 15 shtator 2025 pritet të nisë dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes, pasi Prokuroria ka përfunduar paraqitjen e provave më 15 prill. Dëshmitarë të thirrur përfshijnë shqiptarë, serbë dhe ndërkombëtarë.

Çështja ka kaluar edhe në fazën e mocioneve procedurale. Më 16 korrik, trupi gjykues refuzoi kërkesën e mbrojtjes për të rrëzuar disa akuza që lidhen me ngjarje jashtë periudhës kohore të përcaktuar në aktakuzë.

Në të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave paraqiti dy dëshmitare eksperte: Karin Duhne-Prinsen dhe Dr. Catherine Nicola Black, të cilat dëshmuan në seancë publike.

Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhet me 10 pika të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm që nga nëntori 2020.