Kur je me gra nuk sulmohet njeriu” – deklarata e Mehanit hap debat për mënyrën si perceptohen gratë në politikë

Para 46 minutash

 Pas incidentit me Sami Lushtakun, zyrtari i LVV-së, Hysni Mehani, duke folur për T7 tha se ishte goditur “tinëzisht me telefon”, ndërsa shtoi edhe fjalinë: “Kur je me gra nuk sulmohet njeriu”.

Deklarata e tij u komentua jo vetëm për incidentin, por edhe për mënyrën se si u përshkrua prania e deputetes që ishte me të në atë moment. Në vend se ajo të trajtohej si përfaqësuese politike dhe figurë publike me mandat qytetar, u vendos në kontekstin tradicional të “gruas që nuk duhet të jetë pranë konfliktit”.

Pikërisht kjo pjesë hapi debat në publik: pse një deputete, e zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët në jetën politike, vazhdon të perceptohet fillimisht përmes gjinisë së saj dhe jo rolit institucional që mban. Sepse në momentin kur theksi vihet te fakti që “ishte grua”, vëmendja largohet nga funksioni dhe autoriteti që ajo përfaqëson si pjesë e institucioneve.

Ndërkohë, tensionet në Skenderaj u thelluan edhe më shumë gjatë mbrëmjes, kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës u pozicionua në qytet, duke rritur atmosferën e përplasjes politike. Në këtë situatë reagoi edhe deputetja Ganimete Musliu, e cila bëri thirrje për qetësi dhe shmangie të tensioneve në komunë.

Krejt kjo situatë e zhvendosi debatin nga vetë incidenti fizik, në mënyrën se si politika, gjuha publike dhe simbolikat vazhdojnë të ndikojnë në perceptimin e grave në jetën institucionale dhe politike në Kosovë.